“Irma” zhyt Floridën në errësirë

12/09/2017 00:00

Rreth 6.5 milionë shtëpi në Florida, dy të tretat e totalit, kanë mbetur pa energji pas kalimit të uraganit “Irma”.

Edhe pse operacionet e shpëtimit janë intensive dhe ekspertët po punojnë me të gjitha mundësitë për ta kthyer energjinë elektrike sa më shpejt, në shumë zona problemet mbeten të mëdha.

Ishujt e Florida Keys dhe pjesët perëndimore të këtij shteti amerikan ishin ato që përjetuan goditjen më të dhunshme të uraganit të kategorisë së katërt, që u zbut pas kësaj deri në kategorizimin si stuhi tropikale.

Edhe pse erërat e tij tani nuk shënojnë më shumë se 56 km në orë, Qendra Kombëtare e Uraganëve njofton për reshje të dendura shiu në mbarë shtetet juglindore, megjithëse paralajmërimet për dallgë të rrezikshme janë anuluar.

Katër të vdekurit në Florida i shtohen bilancit të 37 viktimave, që “Irma” shkaktoi në kulmin e furisë së saj, të regjistruar gjatë kalimit në ishujt Karaibe.

Sipas këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Tom Bossert, do të duhet të kalojë shumë kohë përpara se banorët e Florida Keys të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Nuk pres që Keys të jenë të banueshme për disa javë të tëra. Procesi i rindërtimit do të kërkojë kohë, sidomos kur vjen fjala tek urat”, tha Tom Bossert, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë.

Ishujt në fjalë janë të shkëputur nga pjesa kontinentale e shtetit dhe 42 urat që i lidhin me tokën po verifikohen për dëmtime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA