
Bilanci i errët i mandatit të parë të Edi Ramës, sipas Lulzim Bashës u pasua nga paraqitja e një programi qeverisës bosh për 4 vitet e ardhshme.
Kreu i Partisë Demokratike thotë se marrëveshja e 18 majit midis tij dhe Edi Rames “vdiq dhe u varros” si pasojë e dy momenteve.
“Thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishte vota e lirë, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Nëse 25 qershori e vrau marrëveshjen, 9 shtatori e varrosi atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, por dhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimi i dy votave opozitare, është shprehja më e qartë, se në vend të bashkëkzistencës politike me kundërshtarin, ti zgjedh gjithmonë shit-blerjen dhe manipulimin”, deklaroi Lulzim Basha.
Ende në Parlament, sipas Lulzim Bashës, krimi është i përfaqësuar me emra të rëndësishëm nga maxhoranca dhe për të pastruar Parlamentin dhe vendin nga imazhi i keq,, sipas tij, Edi Rama duhet të bëjë të paktën dy shkarkime.
“Duhet ta nisësh me shkarkimin e Gramoz Ruçit, jo vetëm për të larguar krimin nga politika, por për të shpëtuar imazhin e dëmtuar të vendit. Duhet ta shkarkosh Fatmir Xhafën për lidhjet e tij të ditura botërisht me krimin. I bën dot ti këto? Nëse jo, çfarë ka ndryshuar pas 25 qershorit? Asgjë! Vazhdim dhe thellim i të keqes”, vijoi ai.
Por krahas shkarkimeve apo largimeve, sipas Lulzim Bashës, reforma më e fortë që mund të sjellë përfaqësimin e vërtetë të qytetarëve në Parlament është reforma zgjedhore.
“Duhet të ndërtojmë një sistem zgjedhor përfaqësues të vullnetit të lirë të njerëzve, jo të krimit dhe të drogës, një lidhje të drejtpërdrejtë të vendimarrësit me qytetarin dhe llogarinë para tyre. Reforma zgjedhore, është rruga e vetme dhe mënyra e vetme që ndryshimi të jetë paqësor dhe institucional. Partia Demokratike do të paraqesë një paketë masash për reformën zgjedhore dhe sistemin e kalbur politik”, propozoi Lulzim Basha.
Kuvend, Basha: “Rama 1”, qeveria e dështimit
Në fjalimin e parë si kryetar i opozitës, Lulzim Basha ka bërë bilancin sipas tij të dështuar të qeverisë “Rama 1”.
“Para 4 viteve, Edi Rama erdhi këtu si kryeministër dhe premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, ulje taksash, hapje të negociatave për anëtarësim, etj. Dje, fiks pas 4 vitesh rikthehet në të njëjtin vend pa mbajtur asnjë premtim me shpresën se koha amniston dhe se do t’ia hedhë”, ka deklaruar Basha.
Duke iu drejtuar kryeministrit, Basha ka theksuar se, këto ishin vitet e ferrit për shqiptarët dhe se nëse zgjedhjet do të kishin qenë të lira ai nuk do të ulej në postin e kreut të ekzekutivit.
““Rama 1: është qeveria e parë që nuk ka sjellë asnjë arritje në rrugën e integrimit. BE pranoi dhënien e statusit të kandidatit për punën e bërë nga qeveria e kaluar. Asnjë hap tjetër, madje janë bërë hapa prapa, pasi disa qeveri europiane kanë kërkuar rivendosjen e vizave”, ka thënë Basha.
Gjithashtu, ka vijuar ai, qeveria “Rama 1” nuk solli asnjë investim të huaj në këto 4 vjet, por u bë qeveria që ka marrë borxhin më të madh publik, 2.5 miliardë dollarë borxh.
“Qeveria krijoi borxhe të tjera, ka 300 milionë euro borxhe ndaj biznesit. Kjo qeveri nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturën e transportit. 600 milionë euro shkuan për fasada zyrash, mobilime dhe shpenzime luksi”, ka pohuar Basha.
Kapja e qeverisë nga krimi i organizuar ka qenë një tjetër pikë e prekur prej tij.
“Kjo qeveri është e kapur nga krimi i organizuar. Qeveritë e huaja i dhanë ultimatum “Rama 1-shit” që të shkarkonte ministrin e Brendshëm, si person i lidhur direkt me qarqet e krimit. DASH e futi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave”, ka thënë Basha.
Ai e ka kritikuar kryeministrin se ka drejtuar qeverinë që solli eksodin më të madh të shqiptarëve, duke i barazuar me Sirinë. Ndërsa sa i takon marrëdhënieve fqinjësore, ai ka theksuar se, “takimet me batuta Rama-Vuçiç nuk kanë sjellë asnjë efekt, as zhbllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën”.
Më tej Basha ka përmendur edhe refuzimin e vizës nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara për kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi; si dhe caktimin e Fatmir Xhafajt ministër të Brendshëm, kur vëllai i tij kërkohet nga drejtësia italiane për trafik droge.
“Nuk ka siguri për fëmijët tanë me Rucin dhe Xhafajn. Për shkak të drogës ke penguar integrimin europian të vendit”, ka shtuar Basha duke iu drejtuar Ramës.
Për Bashën, që situata të ndryshojë duhet që kryeministri të shkarkojë elementët e inkriminuar në qeverinë e tij, qendrore dhe vendore. “Duhet të shkarkosh Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafajn, kryetarët e bashkive nga bota e krimit. I bën dot këto?”, ka shtuar Basha.
Kreu i PD ka kritikuar edhe programin e kabinetit “Rama 2”, duke vlerësuar se ai nuk përmban asgjë serioze për zgjidhjen e problemeve të vendit, “por përmban vetëm terma të kërkuara në Google Search”.
Top Channel