Aksion i policisë për pasurinë e dyshimtë

12/09/2017 00:00

Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 3 milionë euro pasuri me burim të dyshimtë kriminal.

Bëhet fjalë për 15 automjete luksoze, 8 apartamente, 1 vilë dhe 9 njësi tregtare të cilat nuk justifikohen me burime të ligjshme. Operacioni “Vjeshtë 2017”, i nisur prej disa ditësh, synon goditjen e grupeve kriminale me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin e aseteve të ngritura në mënyrë të paligjshme.

Operacioni është shtrirë në 12 qarqet e vendit dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë referuar disa raste për procedim pasuror në ngarkim të personave të dyshuar për aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Pronat e sekuestruara rezultojnë në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Berat, ndërsa policia refuzon të japë identitetin e poseduesve të tyre deri në përfundim të hetimeve. Sipas burimeve, plani i masave parashikon që operacioni të vijojë deri në fund të vitit dhe pritshmëritë janë që në total të sekuestrohen pasuri që do t’i kalojnë shifrën e 30 milionë eurove.

Edhe gjatë takimeve të fundit në kuadër të luftës kundër kanabisit, kryeministri Edi Rama ka insituar që policia të godasë burimet financiare të krimit.

Top Channel