
Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Elbasanit i ka dhënë titullin “E ardhmja e qytetit”, 15-vjeçarit Rei Dunja, i cili mori çmimin special në Olimpiadën e Matematikës “Brazil 2017”.
“Arritëm rezultate të larta, nderuam qytetin dhe kombin nga vijmë”, deklaroi Rei Dunja.
“Kjo do të thotë se është rrjedhojë e punës tënde përgatitore, e ndihmës së prindërve të tu, të mësuesve gjithashtu”, tha Qazim Sejdini, kryebashkiak i Elbasanit.
Rreth 27 mijë nxënës kanë nisur vitin e ri shkollor në rrethin e Elbasanit, prej të cilëve 2.100 në klasë të parë.
Ndërsa në Gjirokastër, vetëm 320 fëmijë do të ulen këtë vit për herë të parë në bankat e shkollës. Ky numër është përgjysmuar në krahasim me vitet e tjera, e sipas autoriteteve shkak është bërë emigracioni ose transferimi në Tiranë.
Këtë vit nuk do të ketë as mësim me turne, por Drejtoria Arsimore Rajonale kërkon ndihmën e policisë për të normalizuar trafikun pranë shkollave.
“Ne kemi kërkuar forca policore në momentin e hyrjes së fëmijëve në shkollë, në pushimin e gjatë dhe në momentin e daljes së tyre nga shkolla”, tha Lindita Rova, drejtoreshë e DAR Gjirokastër.
Viti i ri shkollor në Berat nis me disa shkolla të rikonstruktuara, por kryebashkiaku Petrit Sinaj kërkon ndihmë për pajisjen me bazën e plotë materiale dhe didaktike të këtyre shkollave të reja.
Ndryshe nga shkollat e tjera në vend, një objekt në Rrëmbec të Korçës nuk i ka hapur dyert më 11 shtator. Shkolla ishte e amortizuar prej vitesh, por edhe pse punimet e rikonstruksionit kanë mbaruar, klasat janë bosh.
Drejtori i shkollës thotë se Ministria e Arsimit e zvarrit prej 7 muajsh fondin për blerjen e bazës materiale.
“Nuk ka tavolina, karrige, nuk ka asgjë. S’kanë ku të ulen fëmijët. Ne e kemi bërë kërkesën që në shkurt të vitit 2016. Siç e shikoni edhe vet nuk ka ardhur asgjë funksionale për mësimdhënie”, tha Qerim Kreka, drejtor i shkollës Rrëmbec.
270 fëmijët e Rrëmbecit e kanë nisur shkollën në fshatin Plasë, ndërsa transporti u financohet nga Bashkia e Maliqit.
Top Channel