
Partia Demokratike u shfaq me një profil të ri këtë shtator dhe u përball me një temë të vjetër, me emrin e Gramoz Ruçit. Votimi tregoi se të paktën dy vota nga opozita kanë rrjedhur për Ruçin në krye të Kuvendit duke ndezur debatin brenda vetë PD.
Ndërkohë, Edi Rama ka publikuar programin e mandatit të dytë të tij dhe pret betimin pas rikthimit të Ilir Metës nga vizita zyrtare në Itali.
Top Story u rikthye këtë të hënë në vitin e 12-të dhe në këtë takim të parë të sezonit të ftuar ishin analistët Arjan Vasjari, Agron Gjekmarkaj, Eduard Zaloshnja dhe Drejtori e Institutit Europian “Pashko”, Besart Kadia.
Duke komentuar votimin e Gramoz Ruçit, Arjan Vasjari e cilësoi hipokrit qëndrimin e PD-së, ndërsa Gjekmarkaj tha se ky qëndrim iu kthye kundër Lulzim Bashës.
“Qëndrimi i PD ishte një zhurmë, që iu kthye kundër, pasi pamë që të paktën 3 deputetë të PD votuan Ruçin. Basha ka nxjerrë me shkop të persekutuarit nga PD dhe shkon e u flet të persekutuarve politikë kundër Gramoz Ruçit. Mënyra sesi është sjellë Basha me të persekutuarit delegjitimon qëndrimin e Bashës kundër Gramoz Ruçit. Po t’i hysh sot biografisë, brenda PD gjen njerëz që kanë qenë të lidhur më shumë me komunizmin sesa Gramoz Ruçi”, tha ai.
Besart Kadia komentoi vendimin e Nard Ndokës për të dalë nga grupi parlamentar demokrat.
“Largimi i Nard Ndokës është pasojë e vendimit të PD, që e futi në listat e saj. I gabuar apo i mirë ky vendim, por është pasojë e atij vendimi”, tha ai.
Top Channel