
Presidenti Ilir Meta ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, e shteti i parë që ai viziton në cilësine e kreut të shtetit është Italia.
Ai është pritur me nderimet ushtarake dhe nën tingujt e himnit kombëtar në Palazzo Qurinale, nga homologu i tij italian, Sergio Mattarella.
Pas takimeve formale, dy presidentët dhe delegacionet përkatëse, ku binte në sy prezenca e ministrit të Jashtëm italian, Angelino Alfano kanë diskutuar lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Biseda mes dy krerëve të shtetit është fokusuar tek partneriteti strategjik mes dy vendeve dhe thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dhe rrugëtimi europian i Shqiperise, ku Italia ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në 25 vitet e fundit dhe nisur nga kjo vizitë e parë jashtë vendit që pas marrjes së detyrës, kreu i shtetit vlerësoi mikpritjen e demonstruar nga Italia në fillim të viteve ‘90.
Dy homologët vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa theksuan nevojën e zgjerimit më tej të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare. Teksa konsideruan komunitetin arbëresh në Itali si një vlerë të shtuar, dy Presidentët vendosën të zhvillojnë një vizitë të përbashkët në një nga zonat e komunitetit arbëresh.
Jashtë bisedimeve nuk kane mbetur as temat e luftës kundër krimit të organizuar duke theksuar nevojën për rritjen e koordinimit mes institucioneve ligjzbatuese në të dy anët e Adriatikut, në veçanti kundër trafikut të narkotikëve, që konsiderohet një rrezik për Shqipërinë, Italinë dhe Europën.
Presidentët Meta dhe Matarella ndanë bashkë edhe mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi, do të ndikojë në afrimin e vendit me BE.
Top Channel