Punimet për aksin Korçë-Gramsh dëmtojnë varret e Popçishtit

10/09/2017 00:00

Plot 37 varreza të fshatit Popçisht në Moglicë janë dëmtuar si pasojë e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor Korçë-Gramsh, duke bërë që eshtrat të dalin në sipërfaqe dhe një pjesë e tyre të hidhen në përrua nga firma zbatuese e projektit.

Devijimi i 15 km nga gjatësia e kësaj rruge, pas ndërtimit të HEC-it në Moglicë, ka bërë që rruga të kalojë përmes fshatit, duke prekur kështu dy nga varrezat e tij. Edhe pse banorët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta parandaluar këtë masakër, 10 varre të banorëve myslimanë dhe 27 varre që mendohet se janë të banorëve të vjetër ortodoksë janë shkatërruar.

Banorët tregojnë se punimet kanë nxjerrë në sipërfaqe eshtrat e familjarëve, të cilat po përhapen nga qentë e fshatit, ndaj ata kërkojnë ndërprerjen e punimeve dhe zhvendosjen e varrezave në një hapësirë tjetër të fshatit.

Prej thuajse një viti, kjo situatë është paraprirë nga banorët, të cilët u janë drejtuar instancave për t’i lajmëruar për vendndodhjen e varrezave, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

Pak muaj më parë, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për këtë rast pas kallëzimit të banorëve, hetime të cilat janë pushuar me argumentin se banorët që kanë denoncuar pretendojnë se varret janë ortodokse, ndërkohë që fshati ka besim mysliman.

Top Channel