
Periudha paszgjedhore vazhdon të shikohet ende nga shqiptarët si koha më e përshtatshme për të përfituar dhe zhvilluar aktivitete të kundërligjshme.
Edhe gjatë kësaj vere, në vend të parë të paligjshmërive kanë qenë ndertimet pa leje. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë muajve korrik-gusht dhe javës së parë të shtatorit janë konstatuar 680 raste të ndërtimeve pa leje në të gjthë vendin.
Për këto raste, policia ka identifikuar 744 autorë, prej të cilëve 40 janë arrestuar në kushtet e flagrancës, 36 janë shpallur në kërkim, ndërsa pjesa tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Një tjetër veprimtari e paligjshme, e konstatuar me rritje gjatë kesaj periudhe, është edhe vjedhja e energjisë elektrike. Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë territorin janë konstatuar 214 raste të vjedhjes së energjisë, me 222 autorë, nga të cilët 12 janë arrestuar, 10 janë shpallur në kërkim, ndërsa pjesa tjetër po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Prerja e pyjeve, si dhe organizimi në mënyrë të kundërligjshme i lojërave të fatit, janë veprat e tjera penale që janë konstatuar gjatë kësaj periudhe kohe, por me një numër shumë herë më të vogël sesa ndërtimet pa leje apo vjedhja e energjisë.
Nisur nga këto raste, policia bën apel se do të vijojë punën pa asnjë tolerim ndaj këtyre fenomeneve të paligjshme, pavarësisht situatës politike ku ndodhet vendi.
Top Channel