Gjykata e Shkodrës, ekstradim drejt Italisë për 42-vjeçarin

10/09/2017 00:00

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, si dhe ka kërkuar nisjen e procedurave të ekstradimit drejt Italisë për shtetasin Edmond Como, 42 vjeç nga Kopliku.

Vendimi ka ardhur pasi gjykata ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e tij, një person që në shtetin italian njihet si anëtar i grupeve të rrezikshme të krimit të organizuar, si dhe është dënuar më parë për lidhje me klanin mafioz “Ndràngheta”.

Arrestimi i 42-vjeçarit është bërë për llogari të policisë italiane, pasi Gjykata e Lecces në Itali ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar me nr. 1379, datë 11.04.2017, për veprën penale të “vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

Pas vendimit për ekstradim, avokati mbrojtës Adrian Visha është shprehur se vendimi i gjykatës do të apelohet, pasi klienti tij ka pasur detyrim paraqitjeje në Gjykatën e Lecces për një vepër të lehtë penale.

Edmond Como është arrestuar 4 ditë më parë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me forcën e posaçme operacionale dhe specialistët e zyrës së “Interpol Tirana”, pas një informacioni të marrë në rrugë operative për vendndodhjen e tij në qytetin e Shkodrës.

Top Channel