
Me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve të saj, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka zgjedhur në mbledhjen e kësaj të hëne Komisionin e Akademikëve me mandat të plotë përfaqësimi dhe negocimi për të githa çështjet e reformës institucionale të kërkimit shkencor.
Pas propozimeve të shumta nga vetë akademikët, janë 12 ata që do të nisin menjëherë punën për këtë komision. Ndonëse nuk ishte i pranishëm në mbledhje, akademikët e propozuan Artan Fugën si pjesë të komisionit të reformës, ndërsa menduan që atë ta kryesojë një zë i fortë kritik si Apollon Baçe.
“Ne do të dalim me idetë tona. Do të fillojmë punën, besoj menjëherë brenda javës. Do të nxjerrim një lloj platforme dhe pastaj do ta hedhim për diskutim në asamble. U propozua që të jetë Fuga, por megjithatë do të jetë ai që do të vendosë nëse do të jetë pjesë e komisionit apo jo”, ka deklaruar Baçe.
Kërcënimeve të kryeminstrit për mbylljen e akademisë dhe ndërprerjen e fondeve, Baçe i është përgjigjur me një metaforë dhe duke e parë situatën me optimizëm.
“Nuk ka se si t’i kërkojë bukëpjekësit të bëjë 20 kg bukë kur ti i jep 1 kg miell. Domethënë, që të ketë një akademi që të funksionojë duhet të ketë isntitucione të saj, ose të paktën të ketë fonde të cilat të ndërlidhin projektet. Unë nuk e shoh gjendjen kaq alarmante. Ky thotë ‘po nuk u bë reforma do t’ia pres fondet’. Faktikisht, ky është fillimi i reformës”, ka thënë Baçe.
Anastas Angjeli, Anesti Kondili, Aurela Anastasi, Floran Vila, Jani Thomai, Neki Frashëri, Luan Starova, Ali Aliu, Matteo Mandala dhe Mira Mezini janë akadamikët e tjerë të komisionit.
Top Channel