
Nëse jeni treguar të kujdesshëm, gjatë të gjithë fundjavës së Çmimit të Madh të Monzës është vënë re një risi te Ferrari. Bëhet fjalë për 70-vjetorin e krijimit të skuderisë nga Maranello, që në fakt do të kulmojë këtë fundjavë, të shtunën e 9 shtatorit, ditë gjatë së cilës në shtëpinë e “kokëkuqes” do të mblidhen me mijëra të apasionuar.
Sigurisht premtohet një fundjavë speciale, dedikuar të gjithë ferraristëve, për të festuar atë që do të jetë një përvjetor i paharruar, e që do të ketë nisma të ndryshme.
Tubime të shumta kanë nisur në disa qytete europiane, si Frankfurti, Gjeneva, Londra, Montekarlo, Praga, Reimsi, Salzburgu dhe Roma, që të gjithë me destinacion Milanon, aty ku mëngjesin e së shtunës do të nisë nga paradë madhështore prej 500 makinash Ferrari me drejtim pistën e Fioranos, apo skenën kryesore të festës.
Ndërkohë në Modena, një koleksion i rrallë i makinave Ferrari mund të admirohet më 9 shtator me një homazh në shtëpinë ku ka lindur Enzo Ferrari, e më pas në 11:30 vjen ndalesa përpara “Palazzo Ducale”, selia e Akademisë Ushtarake italiane. Pasditen e së shtunës, duke nisur nga ora 16, shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” do të zhvillojë një ankand, që konsiderohet si më domethënësi i realizuar ndonjëherë për makinat e një marke të vetme.
Mbrëmjen e së shtunës, të ftuarve do t’iu ofrohet spektakli “Ferrari Settanta”, që do të tregojë të shkuarën dhe të tashmen e Maranellos, e sigurisht me fokus të ardhmen: një shfaqje tejet e shumëpritur që do të transmetohet drejtpërdrejt në një emision special në Rai Uno, nga ora 23:30.
Të dielën, festimet do të mbyllen me një konkurs elegance. Një juri ekspertësh ndërkombëtarë do të ketë detyrën e vështirë të përzgjedhjes mes 120 makinave të vyera Ferrari të këtyre 70 viteve, dy më të mirat në kategoritë “Gran Turismo” dhe “Sportive”.
Top Channel