“US Open”, Williams e Stephens në gjysmëfinale

06/09/2017 00:00

Venus Williams bën një kthim prapa në kohë, duke u shfaqur si në ditët e saj më të mira. Tenistja amerikane u kualifikua për në gjysmëfinalet e turneut të fundit “Grand Slam” të vitit, “US Open”, pasi mundi në çerekfinale Petra Kvitovën me rezultatin 2-1.

Amerikanes 37-vjeçare iu deshën 154 minuta për të fituar këtë përballje me tenisten çeke, me sete 6-3, 3-6 dhe 7-6. Venus Williams, e cila kërkon të kthehet te fitorja e një titulli “Grand Slam” që nga viti 2008, do të ketë përballë në gjysmëfinale bashkëkombësen e saj, Sloan Stephens.

Kjo e fundit eliminoi në çerekfinale Anastasija Sevastovën, të cilën e mundi në 3 sete. Stephens fitoi setin e parë 6-3 dhe u duk se po e dominonte ndeshjen. Por letonezja iu kundërpërgjigj duke fituar setin e dytë po 6-3. Fituesja në setin final u përcaktua nga “tie break”-u, të cilin Stephens e fitoi 7-6 dhe krejt ndeshjen 2-1.

Në kampin e meshkujve, gjysmëfinalistët e parë janë spanjolli Pabo Carreno Busta dhe afrikano-jugori Kevin Anderson. Carreno Busta u kualifikua mes 4 më të mirëve të turneut, pasi mundi argjentinasin Diego Schwartzman 3-0, me sete 6-4, 6-4 dhe 6-2, duke arritur për herë të parë në karrierë në gjysmëfinalen e një turneu “Grand Slam”.

Ndërsa Kevin Anderson u kualifikua në gjysmëfinale pasi mposhti amerikanin Sam Querrey 3-1, me sete 7-6, 6-7, 6-3 dhe 7-6. Edhe për Anderson, kjo është hera e parë që luan një ndeshje gjysmëfinale në një turne “Grand Slam”, siç është “US Open”.

Top Channel