Sot Superkupa e Shqipërisë

06/09/2017 00:00

Superkupa e Shqipërisë do të ngrejë ditën e sotme siparin e sezonit të ri në futbollin shqiptar me ndeshjen Kukësi-Tirana.

Dy skuadrat që në fundin e sezonit të kaluar triumfuan në dy kompeticionet zyrtare, Kukësi duke u shpallur kampion për herë të parë në histori, ndërsa Tirana fituese e Kupës. Megjithatë vera nuk ka qenë e qetë për të dyja ekipet, me Kukësin që ka larguar nga drejtimi Ernest Gjokën, ndërsa Tirana pas rënies për herë të parë nga kategoria largoi Mirel Josën.

Sigurisht që në Europë paraqitja e skuadrave ishte deri diku e kënaqshme, me verilindorët që nuk arritën të kalonin turin pas mungesës së theksuar të fatit. Megjithatë gjërat kanë ndryshuar më pas, me presidentin Safet Gjici që kërkoi të vijonte ciklin fitues me Mladen Milinkovic në drejtim, duke mos rinovuar me ish trajnerin Gjoka. Gjithashtu nga ekipi kampion janë larguar një pjesë e mirë e skuadrës.

Milinkovic ka patur idetë e qarta, duke afruar në merkato njohjet e kampionatit si Shtubina, Zeqiri apo edhe Bakaj, për të vijuar me të huajt Krkotic, Gilmore dhe Alijev.

Edhe Tirana ka ndryshuar shumë krahasuar me sezonin e kaluar, madje edhe me ekipin që luajti në Europa League. Largimet e Merveille dhe Acquah janë më të rëndësishmet, ndërkohë që së fundmi janë afruar emra të panjohur si sulmuesi anglez Michael Ngoo apo edhe mbrojtësi Kalu.

Finalja e Superkupës është një test i rëndësishëm për të dyja skuadrat pasi triumfi është opsioni i vetëm për të dy trajnerët i vendosur nga presidentët respektivë, ndërkohë që gjithashtu ky duel shihet si mundësi për të lëshuar sinjalin e duhur ndaj rivalëve të tyre edhe pse në kategori të ndryshme.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 19:00.

Top Channel