Amerika e Jugut/ Argjentina rrezikon, Brazili ndalet nga Kolumbia

06/09/2017 00:00

Argjentina ia komplikoi ndjeshëm gjërat vetes në sfidën e radhës së eliminatoreve të Botërorit 2018.

Skuadra e drejtuar nga Jorge Sampaoli nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Venezuelës, duke qëndruar në vendin e pestë në klasifikimin e Grupit të Amerikës Latine dhe tani i duhet që të fitojë patjetër dy ndeshjet e fundit me Perunë dhe Ekuadorin për të evituar “playoff”-in.

Venezuela shënoi e para me Murillo, por autogoli i Feltscher bëri që bardhekaltërit të barazojnë në 1-1.

Me rezultatin 1-1 u mbyll edhe sfida mes Kolumbisë dhe Brazilit. Golit të Willian për 5 herë kampionët e botës, Kolumbia iu përgjigj me atë të Radamel Falcao.

Kili pësoi humbjen e dytë radhazi në këto kualifikuese. Këtë radhë, ai u mposht nga Bolivia me rezultatin 1-0. Për skuadrën boliviane golin e fitores e shënoi Arce nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Uruguaji mposhti Paraguajin 2-1 me gola të Cavani dhe Suarez, duke u ngjitur në vendin e dytë.

Top Channel