Zgjedhjet në ASH, Nikolla mbështet Ramën

05/09/2017 00:00

Për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, kush e komenton mbrapsht politikisht, mediatikisht apo inatçorisht deklaratën e djeshme të kryeministrit mbi Akademinë e Shkencave, si një reagim momental, është në rastin më të mirë i painformuar.

“Kryeministri është angazhuar prej kohësh në një dialog me anëtarët e Akademisë së Shkencave. Në takimin e realizuar në Kryeministri në maj 2016, me akademikët dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e Sportit, ai ka nënvizuar domosdoshmërinë e reformimit të institucionit dhe ka kërkuar përulësisht kontribute me shkrim nga vetë akademikët”, thotë Nikolla në statusin e saj në Facebook.

Po ashtu, vijon ministrja, Rama ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit angazhim të plotë në këtë dialog, ku fatkeqësisht, sipas saj, kontributi konkret dhe i vlefshëm nga ana e Akademisë së Shkencave nuk erdhi kurrë.

“Sidoqoftë, ne kemi vijuar punen tonë ne tri drejtime: a. Shkrimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kërkimit Shkencor, Tekonologjisë dhe të Inovacionit, për vitet 2017-2022; b. Përgatitjen e Dokumentit Politik për Reformimin Institucional të Kërkimit Shkencor; c. Përgatitjen e Draft-Ligjit të ri per Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin”, ka nënvizuar Nikolla.

Ajo shprehet se, “produktet e punës në të tri këto drejtime flasin vetë” dhe shton se me fillimin e punës së qeverisë së re do të dalë në pah edhe “pseja” e deklaratës së djeshme të kryeministrit, “të cilën e mbështes plotësisht, si të gjithë ata që e kanë ndjekur nga brenda ecurinë e këtij procesi”, ka thënë Nikolla.

“Të njëjtën bindje me kryeministrin ndajnë edhe persona të tjerë, publikisht të rreshtuar më shumë se sa një herë kundër qeverisë.

Zgjedhjet e djeshme në Akademi ishin pika e fundit që derdhi kupën e mbushur në vite, sepse dëshmuan mungesën më shembullore të çdo sensi reflektimi mbi kalbëzimin tanimë pa kthim të atij institucioni.

Prandaj, edhe financimi publik i Akademisë së Shkencave në këto kushte do të ishte thjesht bashkëfajësia në heshtje përballë një fakti kokëfortë: Akademia e Shkencave ka humbur çdo arsye dhe funksion të ekzistencës së saj”, ka shtuar ministrja.

Top Channel