Simeone rinovon kontratën me Atletico Madrid

05/09/2017 00:00

Diego Pablo Simeone ka rinovuar kontratën me Atletico Madrid.

Trajneri argjentinas zgjati kontratën aktuale me klubin madrilen deri në 30 qershor 2020.

“Rinovimi i kontratës së Diego Pablo Simeones tashmë është realitet. Trajneri ynë firmosi kontratën e re që e lidh me Atletico Madrid për dy sezone të tjerë, deri në 30 qershor 2020”, lexohet në komunikatën e publikuar në faqen e internetit të klubit spanjoll.

Kontrata e vjetër e Simeones skadonte në vitin 2018. Pavarësisht interesit të Interit për të, trajneri argjentinas gjithmonë ka thënë se dëshironte të vazhdonte me bardhekuqtë.

Simeone ka marrë drejtimin e Atletico Madrid në vitin 2011, duke fituar me këtë ekip Europa League (2012), Superkupën e Europës (2012), Kupën e Mbretit (2013), kampionatin spanjoll (2013-14) dhe Superkupën e Spanjës (2014).

Gjithashtu, ka luajtur dy finale në Champions League (2014 dhe 2016), të dyja të humbura kundër Real Madrid.

Top Channel