Regjistrimi në universitete, gjysma e maturantëve e kanë bërë zgjedhjen

05/09/2017 00:00

Kur kanë mbetur edhe 7 ditë në përmbylljen e regjistrimit të fituesve  të raundit të parë në universitete, pothuajse më shumë se gjysma e maturantëve e kanë bërë zgjedhjen se në cilën degë do të studiojnë, duke bërë dhe regjistrimin.

“Momentalisht kemi tejkaluar 50% të numrit të aplikantëve të cilët janë regjistruar. Janë mbi 12 300 aplikantë të cilët janë regjistruar nëpër universitetet publike dhe private”, thotë Dr. Arjan Xhelaj i Rrjetit Akademik Shqiptar.

Ndryshe nga një vit më parë, maturantët mund edhe të çregjistrohen  nëse ndryshojnë mendje për të zgjedhur një degë tjetër. Por, duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, pasi kuotat e mbetura bosh për raundin e dytë duket se do të jenë të pakta.

“Është ezauruar programi i mjekësisë së përgjithshme. Mendoj se 90-95% janë regjistruar në degët që kanë dashur. Në datën 12, për 24 orë mund të çregjistrohen dhe të riaplikojnë për një degë tjetër nëse ajo degë ka akoma kuota të lira për raundin e dytë”, shpjegon Xhelaj.

Portali për të aplikuar për raundin e dytë hapet në 15 shtator dhe më pas nis përpunimi i të dhënave për të vijuar me shpalljen e fituesve në 1 tetor. Për 14 ditë me radhë vijon e njëjta procedurë, me spostimin e vizës dhe regjsitrimin e fituesve.

Viti i ri akademik për shkollat e larta nis në 16 tetor.

Top Channel