
Sezoni i Eden Hazard ka nisur me pak javë vonesë krahasuar me shokët e skuadrës te Chelsea, kjo për shkak të një dëmtimi në kavilje në fillim të qershorit me Belgjikën.
Rikthimi i tij në fushat e blerta është bërë sërish me fanellën e kombëtares, ndërsa tashmë ndihet i gatshëm për të ndihmuar kampionët në fuqi të Anglisë për të mbrojtur titullin kampion, e pse jo edhe për synimet e tjera në Europë, por pa harruar se ky është viti përpara Botërorit.
I pranishëm në prezantimin nga kompania Nike e këpucëve “Mercurial Vapor Flyknit Ultra”, Hazard ka folur për objektivat, sfidat që e presin, por edhe për merkaton që sapo u mbyll.
E batuta më e fortë ishte pikërisht për merkaton, veçanërisht për transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit, atë të Neymar nga Barcelona te PSG-ja.
“Parisi ka paguar 222 milionë euro për Neymar? Atëherë unë vlej një miliard (qesh). Jo, bëj shaka, pasi nuk mund ta them sesa mund të kushtojë kartoni im. Duhet të përqëndrohem në punën time, në stërvitje dhe te ndeshjet e Chelseat. Çdo vit ka pasur zëra për ndryshim fanelle sa më përket mua, por në fund të fundit vlejnë më shumë faktet sesa fjalët. Unë jam gjithmonë këtu për të dhënë maksimumin tim”, thotë Hazard.
Ndoshta ky shkëlqim i belgut është edhe meritë e Antonio Contes. “Me të kam një raport të shkëlqyer, – vijon Hazard. – Na transmeton energji të paparë dhe është një nga trajnerët më të mirë në botë. Qeshim e bëjmë shpesh shaka së bashku, edhe pse nuk mundem ta përshkruaj si mik, pasi nuk do të ishte profesionale”.
Sa i përket luftës për titull, “ka 7 apo 8 skuadra pretendentë dhe të afta për të qenë në krye, por ajo që bëri Leicester në vitin 2016 na mësoi se kushdo mund të mposhtë këdo. Ky është motivi përse Premier League është kampionati më interesant në botë”.
Në fund objektivat. “Të mbrosh titullin kampion në Angli është tejet i vështirë, por nuk është sfida më e vështirë e një sezoni që ka nisur i nxehtë që nga fillimi. Nëse do të më duhej t’i rendisja objektivat për nga vështirësia, e para është Botërori me Belgjikën. Edhe më e rëndësishme sesa fitimi i Championsit me Chelsean, pasi bëhet fjalë për kombëtaren time, që nuk ka fituar kurrë ndonjë trofe të rëndësishëm”.
Top Channel