Durrës, kërcënojnë me vetëvrasje, tërhiqet përmbarimi

05/09/2017 00:00

Dy vëllezër në Durrës kanë kërcënuar këtë të martë se do të vetëvriten nëse familjet e tyre do të nxirren nga banesa ku jetojnë për afro 4 dekadash.

Ky paralajmërim i vëllezërve të familjes Bejko ka ardhur pasi efektivë të përmbarimit, me kërkesë të një personi që pretendon se është ish-pronari, kanë shkuar për t’i nxjerrë ata jashtë.

Lëvizje kjo edhe pse një vendim i Gjykatës së Lartë pengon nxjerrjen e tyre nga shtëpia, për faktin se një vendim i mëparshëm gjykatës së shkallës së parë është apeluar.

Prej disa javësh familja Bejko ndodhet nën presionin dhe frikën e flakjes në rrugë, ndaj kanë reaguar në këtë mënyrë. Çështja e tyre është ende në gjykim, por edhe nën hetim për fitim pronësie me dokumentacion të falsifikuar.

Por pavarësisht pretendimeve të ish-pronarëve, të mbështetur nga vendimi i shkallës së parë, banesa është ende e regjistruar në emrin e Bejkove në inventarin e banesave shtetërore.

Bëhet fjalë për një pallat 4 katësh të ndërtuar në fund të viteve ’70 me kontribut vullnetar nga punëtorët e një ndërmarrjeje të kohës për të strehuar dy familje, njëra prej të cilave është Bejko.

Të mbështetur nga policia, efektivët kanë shkuar për të dytën herë në 3 javë për t’i nxjerrë jashtë, por sërish janë tërhequr.

Top Channel