Avokati i Popullit: Shqetësuese braktisja e fëmijëve shqiptarë në BE

05/09/2017 00:00

Avokati i Popullit ka bërë apel këtë të martë për më shumë përpjekje për zgjidhjen e problemit të fëmijëve shqiptarë të braktisur në vendet e huaja.

Në një deklaratë, ky institucion nënvizon se strukturat shtetërore përkatëse duhet të bëjnë më shumë për të goditur shkakun e këtij fenomeni, që është sipas tij varfëria e tejskajshme.

“Shpesh raportohet se menjëherë sapo udhëtojnë drejt vendeve perëndimore, kryesisht drejt Italisë, prindërit e familjeve të varfëra shqiptare udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive të braktisur dhe të përfitojnë kështu mbrojtje sociale, sikurse është detyrim ligjor në vendet e BE-së”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Për Avokatin e Popullit, ajo çka bën më shqetësues këtë fenomen është fakti se mekanizmat shtetëror për parandalimin e tij nuk funksionojnë dhe rrjedhimisht nuk bëjnë të mundur parandalimin e tij dhe kthimin në shtëpi të fëmijëve të braktisur.

“Zgjidhja më e mirë e problematikës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre, ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojë asaj të gjitha mjetet e duhura”, shton më tej Avokati i Popullit.

Top Channel