Akademia betohet: Do të reformohemi!

05/09/2017 00:00

Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave, një ditë pas zgjedhjes, thotë se do të bashkëpunojë me kryeministrin për realizimin e reformës në këtë institucion.

Ai ndan të njëjtin mendim me kryeministrin Edi Rama, por ende nuk është takuar zyrtarisht me të për të folur konkretisht mbi ndryshimet.

“Unë them që do ta bëjmë reformën, duke bashkëpunuar me qeverinë, fort madje. Dy forma janë sot në botë: siç jemi ne në këtë moment dhe siç kemi qenë më përpara, me institute. Nga e gjithë eksperienca ime jetësore prej 45 vitesh në Akademinë e Shkencave, ajo strukturë ishte produktive”, shprehet Beqiraj.

Beqiraj shton se ekzistenca e akademisë është e domosdoshme për botimet shkencore cilësore që realizon. Shpenzimi i buxhetit, sipas tij, është bërë në mënyrë transparente, pasi Akademia i dërgon raporte periodike kreut të qeverisë.

“Kryeministri nga ne është informuar çdo vit duke i çuar raportin për të gjithë veprimtarinë tonë. Produkti i Akademisë së Shkencave me ato mundësi të pakta që ka pasur në buxhet është ky: “Ndryshimi i klimës” nga Edmond Pinguli, inxhinier i cili është bërë akademik para disa vitesh. Është ai që ka ndërtuar hidrocentralet e që kemi dritën sot ne. Ky është produkti i akademisë”, thotë Gudar Beqiraj.

Një ditë pas zgjedhjeve në akademi, kamera e Top Channel vëzhgoi nga afër punën në këtë institucion. Asgjë nuk ka ndryshuar. Punonjësit vazhdojnë normalisht punën e tyre. I vetmi ndryshim që pritet të ndodhë është ai i shkëmbimit të zyrave dhe emërtimeve mbi dyer, pas dekretimit që do t’i bëjë Presidenti kryetarit të ri të zgjedhur.

Top Channel