
Forcat e Armatosura morën në dorëzim 6 mjetet e para të blinduara të dhuruara nga qeveria e SHBA-së, me vlerë 300 mijë dollarë.
Pjesë e paketës në total janë 248 mjete të blinduara me vlerë 12 milionë dollarë, ku Shqipëria do të paguajë vetëm shpenzimet për transportin dhe mirëmbajtjen. Në ceremoninë e zhvilluar më këtë rast, ambasadori amerikan Donald Lu theksoi rolin e Shqipërisë si një aleat i veçantë i Shteteve të Bashkuara në kontinentin tonë dhe përmendi avantazhet që përfaqësojnë këto mjete.
“Kjo aftësi e re do të jetë një hap vendimtar që FA të Shqipërisë të arrijnë objektivin parësor të NATO-s, që të kenë një grup këmbësorie të modernizuar plotësisht operacional dhe autonom deri në 2019”, tha Lu.
Edhe ministrja në largim Mimi Kodheli vlerësoi rolin e rritur të batalionit të dytë të këmbësorisë në angazhimet në kuadër të NATO-s: “Kjo ndihmë vjen absolutisht në kohën e duhur, në momentin kur Batalioni i Dytë i Këmbësorisë po rrit ndjeshëm angazhimet në kuadër të Aleancës dhe kjo do të ndikojë cilësisht në përmbushjen e detyrimeve dhe objektivave e kapaciteteve”.
Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë, mitraloz të lehtë si dhe granatëhedhës.
Top Channel