
Rusia realizon pritshmëritë dhe shpallet kampione e Evropës në volejboll për meshkuj për të dytën herë në 4 vitet e fundit.
Në finalen e Krakovës, skuadra ruse mposhti Gjermaninë me rezultatin 3-2 në një ndeshje shumë intensive dhe emocionuese. Rusia vinte në këtë finale pas fitores së lehtë me Belgjikën, ndërsa Gjermania e trajnerit Andrea Gianni kaloi Serbinë 3-2, pas një ndeshjeje vërtet sfilitëse.
U duk se kjo ndeshje nuk do të kishte histori dhe Rusia, që deri në finale nuk kishte humbur asnjë set, do të fitonte lehtë ndaj Gjermanisë që e kishte bërë tashmë historinë me finalen e saj të parë në një Evropian. Por, parketi tregoi krejtësisht të kundërtën, kjo finale pati histori, madje shumë të pasur dhe kjo më shumë për meritë të skuadrës gjermane që luftoi me atë ruse deri në çastet e fundit.
Rusia fitoi setin e parë 25-19 dhe gjithçka u duk e lehtë për të. Gjermania nuk hoqi dorë dhe barazoi gjithçka duke fituar të dytin 25-20. Seti i tretë, që deri në fund u luftua për çdo pikë nga të dyja skuadrat, i shkoi sërish Rusisë 25-22, ndërsa i katërti foli totalisht gjuhën gjermane, pasi skuadra e trajnerit Giani e fitoi bindshëm 25-17.
Gjithçka u zgjidh në setin final, ku u duk se ishte Gjermania që po bënte mrekullinë dhe po i afrohej trofeut. Por, Rusia tregoi që është një skuadër eksperte dhe arriti të fitojë këtë set 15-13 dhe krejt ndeshjen 3-2, për t’u ngjitur sërish në olimpin e volejbollit evropian.
Top Channel