Kaos tek Izraeli. Kapiteni tërhiqet nga kombëtarja

04/09/2017 00:00

Kuqezinjtë e Shqipërisë i mbyllën llogaritë me izraelitët, sa u përket kualifikueseve të Botërorit 2018, me një humbje në Elbasan dhe një triumf në Haifa në shifra të njëjta: 3-0.

Por Izraeli duket se është futur në kaos, e këtë situatë mund ta shfrytëzojnë rivalët e mbetur të tyre, duke nisur nga Italia. Në vigjilje të takimit ndaj “axurrëve” në Reggio Emilia, Izraeli mbetet pa kapitenin e saj, apo njeriun simbol të kombëtares.

Ish-lojtari i Palermos në vitet 2011-2013, që tashmë militon në radhët e Guangzhout në Kinë, Eran Zahavi është pezulluar nga Federata izraelite e Futbollit pas ndeshjes me Maqedoninë, të humbur në Haifa 0-1. Dhe reagimi i lojtarit nuk ka munguar, duke njoftuar tërheqjen nga kombëtarja.

Duket se ka qenë e parikuperueshme fraktura mes tij dhe ambientit futbolldashës në Izrael. Tifozët e kanë vërshëllyer zhurmshëm të shtunën teksa Izraeli ndeshej me Maqedoninë, ndërsa lojtari u është përgjigjur kritikave me heqjen e fashës së kapitenit dhe hedhjen tej të saj. Të shtunën, në Haifa ishin vetëm 11 mijë e 350 tifozë të pranishëm, ndërsa shihnin skuadrën e tyre kombëtare të pësonte disfatën e radhës, duke përfunduar tashmë në vendin e katërt, pas Shqipërisë, në grup.

Irritimi i tifozëve pati një objektiv të qartë: kapitenin Zahavi, që luan në Kinë prej vitit 2016. Në përfundim të ndeshjes, pati edhe një deklaratë të lojtarit: Më vjen keq dhe u kërkoj ndjesë atyre që më duan dhe më mbështesin, por nuk gjej asnjë motiv pse duhet t’u kërkoj falje atyre që ishin në stadium.

Vetëm dy orë pas ndeshjes, Federata njoftoi pezullimin e menjëhershëm të Zahavit, që e detyron atë të mungojë ndaj Italisë, një vendim që ka marrë edhe “lamtumirën” përfundimtare.

“Kam folur me familjen time dhe me ata që më kanë qëndruar gjithnjë në krah. Kam vendosur të bëj atë që më duket më e drejtë. Gjithnjë kam dhënë maksimumin tim për kombëtaren, por ka ardhur koha të tërhiqem. Kam qenë krenar që kam veshur këtë fanellë”, shkruan ish-kapiteni në rrjetin social “Instagram”.

Ndërkohë, edhe ministri i Kulturës dhe Sportit në Izrael, Miri Regev e ka sulmuar ashpër Zahavin. “Me veprimin e tij ka shkelur vlerat, me të cilat duam të edukojmë brezat e ardhshëm”.

Top Channel