“US Open”, Federer e Nadal nuk ndalen

03/09/2017 00:00

Roger Federer dhe Rafael Nadal nuk ndalen në “US Open”, duke u kualifikuar për në raundin e katërt të këtij turneu.

Tenisti zviceran u përball në raundin e tretë me Feliciano Lopez, e ndryshe nga sfidat e raundeve të para ku iu desh të vuajë, këtë radhë e pati të lehtë kualifikimin.

Federer e mbylli këtë sfidë me rezultatin 3-0, me sete 6-3, 6-3 dhe 7-5. Kundërshtari i 36-vjeçarit në raundin e katërt do të jetë tenisti gjerman, Philip Kohlschreiber.

Rafael Nadal u kualifikua për në raundin e katërt të “US Open” pasi mposhti argjentinasin Leonardo Mayer, 3-1. Ashtu sikurse edhe në përballjen e raundit të mëparshëm ndaj Daniel, Nadal e humbi setin e parë, këtë radhë 7-6, por 31-vjeçari arriti të përmbysë gjithçka duke fituar 3 setet e tjetë të kësaj sfide, 6-3, 6-1 dhe 6-4.

Kundërshtari i radhës i tenistit nga Majorka do të jetë ukrainasi Alexander Dolgopolov.

Në kampin e femrave, Karolina Pliskova vuajti shumë për të kaluar kinezen Zhang. Finalistja e “Flushing Meadows” vitin e kaluar e fitoi këtë sfidë me rezultatin 2-1. Pliskova e nisi keq takimin, duke e humbur setin e parë 6-3, por ajo reagoi dhe fitoi dy setet e radhës 7-5 dhe 6-4, si dhe krejt ndeshjen 2-1.

Top Channel