Kreditë e këqija bien sërish

01/09/2017 00:00

Kreditë e këqija u ulën për të tetin muaj me radhë duke zbritur në nivelin më të ulët në 6 vjet. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në korrik, niveli i kredive me probleme në banka zbriti në 15.3 përqind nga rreth 15.6 përqind që ishte një muaj më parë.

Që nga tetori i vitit të kaluar, huatë e pakthyera janë ulur në mënyrë të vazhdueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kreditë e këqija kanë rënë me gati 6 pikë përqindje, ndërsa nëse krahasohen me pikun e arritur në shtator të 2014-ës, ato janë ulur me plot 10 pikë përqindje. 

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e kredive me probleme është rezultat kryesisht i dy faktorëve; fshirjeve dhe ristrukturimit. Përmes fshirjes, bankat nxjerrin jashtë bilancit të gjitha kreditë, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Kjo është një kërkesë e imponuar nga rregullat e Bankës së Shqipërisë.

Por paralelisht, një pjesë e bankave janë duke fshirë edhe kreditë e pakthyera më të reja se tre vjet, kur debitorët pranojnë të paguajnë një pjesë të borxhit. Shuma që paguhet dakortësohet në marrëveshje rast pas rasti mes bankës dhe kredimarrësit.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se kjo metodë ka rezultuar efikase në uljen e portofolit të kredive më probleme, ndërkohë që paralelisht kanë vazhduar edhe ristrukturimet. Ky i fundit është një proces ku banka pranon të zgjasë afatin e shlyerjes së borxhit për kredimarrësin, si dhe të ulë normën e interesit duke e lehtësuar kështu nga pagesat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA