
Chris Froome i afrohet akoma më shumë titullit në Xhiron e Spanjës.
Çiklisti britanik arriti të renditet në vendin e dytë në etapën e 11 të këtij evenimenti, duke iu shkëputur akoma më shumë rivalëve të tij në renditjen e përgjithshme.
Në këtë etapë që ishte e karakterit malor, i vetmi që bëri më mirë se Froome ishte kolumbiani Miguel Angel Lopez, i cili u shpall fitues i etapës, duke regjistruar suksesin e tij të parë në një tur të madh çiklistik.
Chris Froome, i cili u rendit i dyti me vetëm 14 sekonda më shumë se Lopez, la pas në këtë etapë italianin Vincenzo Nibali dhe tashmë sheh që të marrë formë ëndrra e tij për t’u bërë i pari çiklist që nga viti 1978 që fiton Turin e Francës dhe Xhiron e Spanjës brenda një sezoni.
Në klasifikimin e përgjithshëm, Froome kryeson me 45 orë, 18 minuta e 1 sekonda. Në vendin e dytë tashmë është ngjitur Vincenzo Nibali, me 1 minutë e 19 sekonda më shumë sesa britaniku i “Team Sky”, ndërsa kolumbiani Chavez zbriti në vendin e tretë, me 2 minuta e 33 sekonda më shumë se Froome.
Top Channel