
Në “Spa Francorchamps”, ndaj Ferrarit ishte një dyluftim i frikshëm. Ndaj besoj se të tilla do të jenë garat nga tani e deri në fund të sezonit. Nuk ka për të pasur asnjë shëtitje, e për këtë arsye jemi të gatshëm për një betejë epike drejt objektivit tonë, deri në garën e fundit në Abu Dhabi…duke nisur nga Monza.
Këto janë fjalët e Toto Wolff, drejtuesit më të lartë të Mercedesit, rivalit kryesor të Ferrarit në luftën për titull në Botërorin e këtij viti në Formulën 1. Për të nuk mund të ketë iluzione. “Për Mercedesin, nga ky moment e deri në fund të kampionatit nuk do të jetë aspak e lehtë ta gjunjëzojë Ferrarin. Beteja në Belgjikë e tregoi këtë. Mendohej se makina e re Ë08 do të fitonte me diferenca të dukshme, por nuk ndodhi kështu. Hamilton, për të fituar iu desh të luftonte ashpër”.
Të dielën, sfida kryesore për titull zbret në pistën e Monzës, shtëpinë e “kokëkuqes”. Në letër konsiderohet si një piste favorizuese për Mercedesin, por Wolff nuk ndihet i sigurtë për këtë.
“Monza është një pistë që ka rezultuar favorizuese për ne në vitet e fundit, shpërblen rezistencën e ulët dhe fuqinë maksimale, që janë mes pikave kryesore të forcës sonë. Por të rëndësishme janë edhe qëndrueshmëria në frenim dhe besueshmëria në shpejtësi të ulëta kur kalohet mbi shikanët, e këto janë armë të forta të Ferrarit. Kush gjen konfigurimin më të mirë mes këtyre, ai edhe duhet të fitojë”, tha drejtuesi i Mercedesit.
Megjithatë, për Wolff, Mercedesi është gati të japë maksimumin e mundshëm. “Synojmë fort në këtë kampionat, duam të rishpallemi kampionë edhe pas ndryshimeve të rregullores. Jemi fokusuar te zhvillimi në çdo aspekt e drejtim për të nxjerrë më të mirën edhe nga detajet më të vogla të makinës sonë. Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe ta pranojmë gjithmonë superioritetin e rivalëve tanë, nëse ata rezultojnë më të fortë. Deri në garën e Abu Dhabit do të jetë lavjerrësi do të lëkundet shumë herë”.
Top Channel