
Kylian Mbappe është zyrtarisht një futbollist i Parisit, që përmes faqes zyrtare njoftoi ardhjen më të fundit në repartin e sulmit. Francezi do të huazohet për një vit, me të drejtë blerjeje për 180 milionë euro.
Megjithatë, kjo është vetëm lëvizja më e bujshme e orëve të fundit të merkatos. Një tjetër blerje e bujshme pritet të jetë ajo e Coutinhos nga Barcelona, me brazilianin që do të largohet nga “The Reds”-at e Liverpoolit, arkat e të cilit do të mbushen me 150 milionë euro nga katalanasit.
Por cilat janë lëvizjet e tjera mes klubeve më në zë të Europës?
Riyah Mahrez do të jetë futbollisti i ri i Chelseat. Algjeriani nuk është stërvitur me shokët e skuadrës te Leicester dhe është parë në Londër. Sipas “the Sun”, “Foxes” kanë pranuar ofertën prej 45 milionë stërlinash të “bluve” londinezë. Chelsea ka rrëmbyer edhe Zappacostën nga Torino për 25 milionë euro, me klubin torinez që sapo ka firmosur me Niangun e Milanit.
Një transferim i bujshëm pritet të jetë edhe ai i Alexis Sanchez te Manchester City. Edhe pse zyrtarizimi mungon, mediet kiliane thonë se lojtari u ka komunikuar shokëve të kombëtares se do të veshë fanellën e “Citizens”. Por Arsenali nuk do të heqë dorë nga Sanchez, pa arritur akordin me Monakon për Lemar, për të cilin ka ofruar 100 milionë euro. Pakti mes klubeve është arritur, pritet dëshira e futbollistit.
Atletiko e Madridit huazon Nico Gaitan te Watfordi në Angli. “Los Colchoneros” e kanë të pamundur të blejnë lojtarë për shkak të bllokimit nga UEFA, ndaj dhe po mundohen të grumbullojnë parà për të rrëmbyer Diego Costën në janar.
Dortmundi, nga ana tjetër, ka firmosur edhe me 17-vjeçarin Jadon Sancho, nga Manchester City. Ai konsiderohet si pasardhësi i Ousmane Dembele, edhe pse klubi gjerman ka blerë pak ditë më parë edhe ukrainasin Yarmolenko.
Edhe Tottenham ka lëvizur në merkato, duke befasuar Chelsean. Fernando Llorente pritet të transferohet nga Swansea te “Spurs”-at, për 15 milionë stërlina. Veç sulmuesit, Tottenham ka rrëmbyer edhe mbrojtësin e djathtë Aurier nga Parisi, për 20 milionë euro.
Një lëvizje e papritur në Angli është konsideruar ajo e Oxlade-Chamberlain, i cili dukej sikur do të kalonte nga Arsenali te Chelsea, por në fakt është transferuar te Liverpool. Për 24-vjeçarin, “The Reds” kanë paguar 40 milionë stërlina.
Arsenali do të tentojë në minutat e fundit edhe afrimin e Draxler nga Paris SG, ndërkohë që Renato Sanchez la Bayern Munchen në formë huazimi, për të luajtur me Swansea.
Top Channel