Biznesi, kredi me bilance

31/08/2017 00:00

Bizneset që fshehin taksat tashmë do ta kenë të pamundur të marrin kredi në banka. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë miratuar një masë ligjore, e cila ndryshon rrënjësisht dhënien e kredive për biznesin.

“Duke filluar nga 1 janari 2018, çdo kredi do të miratohet duke u bazuar në bilancin tatimor, apo në deklaratat financiare të audituara të bizneseve”, deklaron Deniz Deralla, drejtor i Mbikëqyrjes në BSH.

Aktualisht, shumë biznese punojnë me dy bilance. Pranë Tatimeve deklarojnë të ardhura të ulëta për të paguar sa më pak taksa, ndërsa kur shkojnë në bankë për kredi dorëzojnë një bilanc tjetër konfidencial me të ardhura shumë më të larta, për të përfituar kredinë.

“Ne si Bankë e Shqipërisë kemi verifikuar se deri më sot një pjesë e deklaratave konfidenciale të dorëzuara nga bizneset nuk ishin të bazuara në dokumentacion financiar. Pra, mund të ishin fiktive dhe kjo ishte pjesë e përkeqësimit të nivelit të kredive në përgjithësi dhe krijimit të NPL-së së lartë të këtyre viteve”, thotë Deralla.

Kjo kërkesë e re ligjore ka pasoja të mëdha jo vetëm për sistemin financiar, por edhe ekonominë.

“Së pari kjo masë merret për të ulur riskun e miratimit të kredisë dhe për t’i dhënë një mundësi bankave që të bëjnë analizat të bazuara mbi dokumentacionin ligjor, pa marrë parasysh deklaratat fiktive apo ato të falsifikuara të bizneseve. Sigurisht që kjo mund të ketë dhe efekte të tjera pasi do sjellë një formalizim të plotë të biznesit”, shton Deralla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA