Surprizë në US Open, eliminohet kampionia Kerber

30/08/2017 00:00

Turneu i US Open dhuroi një surprizë të madhe që në ditën e dytë të tij. Kampionia në fuqi e turneut dhe njëkohësisht numri 1 i botës, Angelique Kerber u eliminua që në raundin e parë të këtij evenimenti.

Ajo që shkaktoi befasinë në Flushing Meadows ishte 19-vjeçarja japoneze Naomi Osaka që iu imponua tenistes gjermane teksa e mundi me rezultatin 2-0. Osaka e dominoi totalisht sfidën me Kerber duke i fituar setet me rezultatin 6-3; 6-1.

Në kampin e meshkujve, Rafael Nadal kaloi me lehtësi në raundin e dytë të US Open. Numri 1 i botës u përball me serbin Lajovic, të cilin e mundi 3-0. Spanjolli hasi në rezistencën e kundërshtarit të tij vetëm në setin e parë të cilin e fitoi me “tiebreak” 7-6. Më pas sfida pati vetëm një drejtim me Nadal që i fitoi të dy setet e tjerë me të njëjtin rezultat 6-2.

Ai që djersiti shumë për të kaluar në raundin e dytë të US Open ishte Roger Federer. Tenisti zviceran u përball me Frances Tiafoe, të cilin e mundi  në 5 sete. Federer nuk e nisi mirë ndeshjen pasi e humbi setin e parë 4-6, por 36-vjeçari reagoi duke fituar dy setet e radhës; 6-2;6-1. U duk se për Federer ishte çështje kohe mbyllja e ndeshjes por Tiafoe barazoi gjithçka teksa fitoi setin e katërt 6-1. Në setin final, Federer u tregua më i saktë në lojën e tij dhe e fitoi atë 6-4 dhe krejt ndeshjen 3-2.

Top Channel