
E ardhmja e Alexis Sanchez te Arsenali vazhdon të jetë një mister. Sulmuesi kilian së fundi u vu në shënjestrën e Manchester City që nisi bisedimet me drejtuesit e “Topçinjve” të Londrës për të siguruar shërbimin e Sanchez.
Sipas medias britanike, Manchester City ofroi 50 milionë paund dhe kartonin e Raheem Sterling për blerjen e kilianit, por Citizens hasën në rezistencën e drejtuesve të Arsenalit. Këta të fundit e refuzuan këtë ofertë të fundit të skuadrës së Guardiola-s duke theksuar se e lejojnë largimin e Sanchez nëse ofrohen vetëm para.
Mësohet se Sanchez e ka arritur prej javësh akordin me Manchester City dhe në fillim të muajit korrik iu bëri të ditur drejtuesve të Arsenalit dëshirën për t’u larguar. Në krahun tjetër te Manchester City ka ende besim se ky transferim do të kryhet pavarësisht këmbënguljes së Wenger për të mbajtur në Londër futbollistin.
Aktualisht, Sanchez është bashkuar me skuadrën përfaqësuese kiliane për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018 me Paraguajin dhe Bolivinë dhe gjatë kësaj kohe City do të shtojë përpjekjet për të mbyllur njëherë e mirë çështjen e blerjes së tij përpara mbylljes së merkatos në mesnatën e së enjtes.
Top Channel