Christian Panucci e fillon grumbullimin e parë të tij si trajneri i përfaqësueses duke i rikujtuar edhe një herë të gjithë lojtarëve se disiplina mund të sakrifikojë edhe cilësinë.
Kështu ka ndodhur që në premierën e tij ka lënë jashtë Sokol Cikalleshin, i cili kishte kërkuar leje për të mos respektuar datën dhe orën e grumbullimit për firmosjen e kontratës së re me klubin.
“Nga 24 lojtarë në listë, mbetën 23. Më telefonoi Cikalleshi duke më thënë se nuk mund të vinte sot pasi do të firmoste kontratën me skuadrën e re. Unë i komunikova se nuk ia jepja lejen për të mos qenë me Kombëtaren. Kontratat mund të firmosen edhe me e-mail, ndërkohë që një formë tjetër është edhe nëpërmjet menaxherit. Këto janë rregullat e mia dhe si të tilla duhet të respekohen”, deklaroi Panucci.
Lënia jashtë skuadre e Cikalleshit bën që alternativat në skuadër të reduktohen ndjeshëm dhe Panucci këmbënguli në qëndrimin e tij: “Ekipi kombëtar është i rëndësishëm dhe duhet të kemi dëshirë e vullnet. Luaj edhe me ju, mjafton të respektohen rregullat. Sa i përket Xhakës, ai gaboi, por më telefonoi ai dhe avokati i tij më pas duke më kërkuar falje. Çështja është e mbyllur, e pranova ndjesën e tij”.
Ndërkohë, për dy ndeshjet e radhës, më 2 shtator ndaj Lihteshtejnit dhe më 5 shtator në Maqedoni, trajneri Panucci theksoi se kësaj skuadre i duhet rikthyer krenaria.
“Do të punojmë në mënyrë që të fitojmë me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Nuk jam i shqetësuar për 4 ndeshjet e fundit ku ne duhet të japim maksimumin. Presidenti më kërkoi që të rigjej shpirtin e grupit që e humbëm së fundmi”, u shpreh trajneri italian.
Top Channel