US Open, Nadal-Federer në gjysmëfinale!

26/08/2017 00:00

Nju Jorku bëhet gati të presë turneun e fundit Grand Slam të vitit, US Open. Për këtë vit pretendentët kryesorë për të triumfuar në turneun amerikan janë pikërisht Rafael Nadal dhe Roger Federer, të cilët kanë mësuar edhe emrat e rivalëve që do të kenë në rrugëtimin e tyre në këtë eveniment.

Në shortin e hedhur për US Open fati deshi që spanjolli she zvicerani të jenë në të njëjtën anë të tabelës së sfidave që do të thotë se nëse gjërat shkojnë sipas parashikimit ata do të përballen me njëri-tjetrin në gjysmëfinale.

Federer do të kërkojë që në “Flushing Meadows” të sigurojë titullin e tij të tretë Grand Slam për 2017 dhe të 6 në US Open. Në përballjet direkte me Nadal, është spanjolli që kryeson me 23 fitore kundrejt 14 të zviceranit. Por në sipërfaqet e ashpra, Federer ka rezultuar superior ndaj 31 vjecarit dhe ka fituar 4 ndeshjet e fundit me të ku përfshihen sfidat në Australian Open, Indian Wells dhe Miami.

Në kampin e femrave, spikat emri i Maria Sharapovës që ka marrë një ftesë për të qenë e pranishme në US Open. Tenistja ruse që u kthye në fushat e lojës pas 15 muajsh pezullimi do të luajë në Nju Jork ndeshjen e saj të parë në 3 javë, pas tërheqjes nga turneu “Stanford Classic” për shkak të një dëmtimi të pësuar në krah.

Në këtë kategori e gjithë vëmendja do të jetë tek numri 1 i renditjes WTA, dhe kampionia në fuqi e turneut Angelique Kerber, pozicioni i së cilës synohet nga 8 teniste të tjera. Turneu i US Open do të nisë në 28 gusht dhe do të mbyllet në datën 10 shtator.

Top Channel