
Ekonomia gjermane nuk ka të ndalur. Rritja e investimeve dhe e kërkesës së konsumatorëve kanë bërë që për herë të dytë edhe në këtë tremujor ekonomia të shënojë një rritje me 0,6%, bën të ditur Zyra Federale e Statistikave.
Sipas “DW”, hovi ekonomik vjen nga brenda vendit. Mjaft kompani gjermane kanë shtuar investimet, ndërkohë që edhe konsumi ka shënuar rritje me 0,8%.
Për shkak të gjendjes së mirë ekonomike shteti gjerman ka arritur të arkëtojë një shifër rekord në arkat e tij prej plot 18,3 miliardë eurosh, vlera më e lartë e siguruar nga vetë shteti që nga bashkimi i Gjermanisë.
Edhe ekspertët e ekonomisë gëzohen për këto zhvillime. Ralph Solveen nga Commerzbank bën të ditur se “të dhënat konfirmojnë një hov ekonomik të nxitur nga konsumi privat”. Rritja e eksporteve shoqërohet me rritjen e importeve, por kjo sipas ekspertit nuk është shqetësuese. “Në këtë fazë të rritjes ekonomike është normale që Gjermania të ketë një rritje të kërkesës brenda vendit”, pohon Solveen.
Top Channel