Vettel-Raikkonen: Mercedesi, i shpejtë. Ferrari nuk është larg

25/08/2017 00:00

Mercedesi u duk i shpejtë, por Ferrari nuk është edhe shumë larg. “Kokëkuqja” arkivon me rezultate disi të kënaqshme ditën e parë në “Spa Francorchamps”, ku të shtunën do të zhvillohen provat zyrtare për “pole position” dhe të dielën gara për Çmimin e Madh të Belgjikës.

Shumëkush mund ta parashikonte lehtësisht që “shigjetat e argjendta” të ishin të shpejta në pistën belge, por edhe makinat e skuderisë nga Maranello nuk është se kanë lënë për të dëshiruar. Gjithsesi, vlerat reale të dy skuderive që po luftojnë për titull në këtë edicion do t’i shohim të shtunën, kur makinat të kenë konfigurimin për kualifikueset.

Asnjë prej pilotëve të “kokëkuqes” nuk është shfaqur i shqetësuar. Duke nisur nga Kimi Raikkonen, i cili dueloi ditën e sotme me Lewis Hamilton për kohën më të mirë të ditës.

“Nuk shkoi keq si ditë e parë. Gjithmonë ka gjëra që do të doja t’i kisha provuar, por është një e premte normale. Duhet të punojmë për të nesërmen dhe për të shpresuar që të jemi edhe më të fortë të shtunën e të dielën. Në këtë pistë ka qenë gjithnjë e lehtë për të garuar në vitet e fundit, nëse bie shi do të jetë paksa më e ndërlikuar, por makinat që kemi në dispozicion janë mjaftueshëm mirë për të garuar në çdo rast”, ka thënë Raikkonen.

Edhe piloti gjerman, Sebastian Vettel duket i përqëndruar për të dielën.

“Sot shkoi si shkoi, nuk jam i kënaqur për gjithçka. U penguam disi nga reshjet e shiut, por në përgjithësi makina është e mirë dhe mund të garohet me shpejtësi edhe nëpër kthesa. Nuk e di si do të jenë kushtet e motit të shtunën, por shpresoj të mos kemi shi. Nëse bëjmë gjithçka do të jetë një garë argëtuese”, tha Vettel.

Top Channel