Telenovela ‘Schick’, sot seria e fundit

25/08/2017 00:00

E ardhmja e Patrick Schick do të vendoset përfundimisht gjatë ditës së sotme, nga vetë futbollisti. Transferimi i sulmuesit çek ishte kthyer në një telenovelë të vërtetë verore.

Kështu, pasi ngjalli interes në shumë klube, Schick zgjodhi bardhezinjtë e Juventusit, të cilët hoqën dorë më vonë, pas disa problemeve në zemër, që u konstatuan gjatë vizitave të 21 vjeçarit.

Por, pasi kaloi me sukses testet e dyta mjekësore, çeku përfundoi sërish në qendër të merkatos së shumë klubeve.

Së fundi, Inter dhe Roma janë klubet që ndodhen shumë pranë transferimit të tij dhe siç njofton klubi i Sampdorias, Schick do të bëjë të ditur vendimin e tij mbi zgjedhjen e klubit të ardhshëm, gjatë ditës së sotme.

Inter duket se është preferenca e parë e sulmuesit çek, ndërsa transferimi te Roma ka mbështetjen e Sampdorias. Gjatë dy ditëve të fundit, trajneri i Romës Di Francesco dhe ish kapiteni Totti, kanë takuar Schick, për ta bindur të zgjedhë kryeqytetasit.

Gjithsesi, sot po luhet seria e fundit e telenovelës ‘Schick’, ku do të mësohet edhe klubi i tij i ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA