Pensionistët emigrantë, italianët: Na lehtësoni qëndrimin në Shqipëri

25/08/2017 00:00

Ardhja për të jetuar në Shqipëri e pensionistëve nga vendet e Bashkimit Europian mund të jetë një mundësi e mirë për ekonominë e vendit për të rritur të hyrat në valutë.

Por në fakt gjërat nuk janë aq të lehta që kjo kategori të vijë në Shqipëri.  Carmine Iampietro është një pensionist italian që jeton prej vitesh në vendin tonë, rezident në Durres. Me të ardhurat që merr në vendin fqinj ai mund të bëjë një jetë mjaft cilësore në Shqipëri duke pasur parasysh kostot. Carmine  thotë se marrja e lejes së qëndrimit nga autoritetet shqiptare është e vështirë.

“Pensionistët italiane që duan të transferohen në Shqipëri kanë vështirësi që të marrin lejen e qëndrimit, sepse shteti shqiptar kërkon që të kenë të paktën një shtëpi në pronësi, ose kontratë pune. Por kjo sipas meje është e padrejtë sepse vetë pensioni dhe një shtëpi me qira duhet të ishin të mjaftueshme për të marrë leje qëndrimi. Jo të gjithë pensionistët kanë mundësi për të blerë shtëpi, pse mos ta kalojmë këtë pengesë”, shprehet Carmine Iampietro.

Dikur pilot motoçiklizmi, më pas mekanik në garat me motora, Carmine, duke qenë se jeton në Shqipëri kërkon që t’i nënshtrohet ligjeve tatimore shqiptare. Mes dy vendeve ka një marrëveshje për mos tatimin e dyfishtë dhe mbi bazën e këtij ligji ai kërkon që autoritetet tona të fiskut  t’i njohin pensionistëve të huaj shpenzimet e bëra, në këtë mënyrë ato përfitojnë nga mos tatimi i pensionit në Itali.

“Instituti i Pensioneve në Itali merr mbrapsht taksat dhe për t’i paguar ato në vendin rezident lëshon një formular që plotësohet me të dhënat tona personale dhe shkohet në zyrën e tatimeve shqiptare, ato duhet ta vulosin dhe me këtë unë bëhem subjekt i fiskut shqiptar. Por këtë formular autoritetet shqiptare nuk e njohin, ne kemi nevojë që shteti shqiptar të njohë këtë formular sepse na lehtëson jetën”, thotë Iampietro.

Në Evropë, por jo vetëm, mjaft shtete po krijojnë politika për tërhequr pensionistët e vendeve të zhvilluara, duke u ofruar lehtësira fiskale në këmbim që ata të shpërngulen si rezidentë.

Portugalia, Spanja, Bullgaria dhe Rumania, madje dhe Tunizia, janë duke zhvilluar programe të posaçme dhe ndoshta dhe Shqipëria duhet të ecë në këtë drejtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA