
Ousmane Dembele do të jetë përforcimi i radhës i Barcelonës për sezonin e ardhshëm. Klubi katalanas ka arritur akordin me Borussia Dortmund, për blerjen e 20-vjeçarit për një shifër që arrin deri në 150 milionë euro, duke përfshirë edhe disa bonuse të tjera.
Një lëvizje kjo që e bën Dembelenë, futbollistin më të shtrenjtë për Barcelonën, si dhe protagonist të transferimit të dytë më të kushtueshëm në histori, pas atij të Neymar te Paris Saint Germain.
Dembele, i cili do të firmosë me Barcelonën për 5 vite, ka lënë pas në listën e blerjeve më të shtrenjta të klubit pikërisht Neymar, për të cilin spanjollët i paguan Santosit 97 milionë euro, ndërkohë që podiumin e plotëson Luis Suarez, me 81 milionë euro.
Tjetër futbollist që i kushtoi jo pak Barcelonës ishte Zlatan Ibrahimoviç, me 69 milionë euro, ndërkohë që David Villa i kushtoi katalanasve 40 milionë euro, po aq sa edhe braziliani Paulinho.
Top Channel