Borxhet, OSHEE shtyn afatet. Përfitojnë familjarët dhe biznesi

25/08/2017 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka shtyrë afatin për të gjithë abonentët debitorë që duan të përfitojnë nga skema lehtësuese për të shlyer faturat e prapambetura të vitit të kaluar.

Afati i mëparshëm skadoi në fund të muajit qershor, por këshilli mbikëqyrës i OSHEE ka vendosur riaktivizimin e skemës lehtësuese deri në 31 dhjetor të këtij viti.

Sipas skemës, konsumatorët familjarë që shprehin vullnetin të kryejnë pagesën e menjëhershme të detyrimit mund të lidhin aktmarrëveshje duke përfituar reduktim kamate në masën 70%. Për familjarët që duan të paguajnë gradualisht borxhin e tyre, aktmarrëveshja parashikon shlyerjen me këste fikse mujore në vlerën 1200 lekë në muaj kur janë në ndihmë ekonomike dhe 2800 lekë në muaj për familjet e tjera.

Vendimi parashikon lehtësi edhe për biznesin. Kompanive që pranojnë të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin u falet gjysma e kamatvonesës, ndërsa ato të cilat nuk mund ta shlyejnë dot borxhin njëherësh do ta paguajnë më këste në varësi të shumës së detyrimit që kanë ndaj OSHEE.

Skema lehtësuese vlen vetëm për faturat e vitit të kaluar. Por për të përfituar të gjithë abonentët duhet të shlyejnë më parë faturat e këtij viti.

Lehtësimi i kamatvonesave dhe shlyerja më këste e faturave të prapambetura u prezantua për herë të parë në dhjetor të vitit 2014 kur qeveria nisi fushatën për të disiplinuar tregun e energjisë. Sipas OSHEE, deri më tani janë lidhur mbi 390 mijë aktmarrëveshje më abonentët familjarë dhe bizneset.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA