Parkimi me SMS, prej 7 muajsh në 30 rrugë të Tiranës

24/08/2017 00:00

Parkimi me “SMS” nisi të zbatohej si projekt pilot në shkurt, ndërsa prej 7 muajsh “Tirana Parking”, i pari institucion shtetëror që merret me administrimin e parkimit publik në kryeqytet, i ofron Bashkisë së Tiranës të ardhura të sigurta për investime.

Sa rrugë janë me pagesë dhe si e paguajnë qytetarët parkimin?

“Aktualisht kemi 30 rrugë që tarifohen. Në momentin që ju do të paguani për një orë parkimin duhet të keni gjendje në llogarinë tuaj të telefonit, nga të gjithë operatorët celularë që operojnë në Shqipëri. Ndërsa nëse jeni një abonent me kontratë, ajo mbahet automatikisht nga llogaria në fundin e muajit”, tha Eglantina Zëre, drejtore e “Tirana Parking”.

Për të paguar parkimin me SMS, qytetari duhet të dërgojë targën e mjetit në numrin 50500. Po si gjobiten shoferët, që neglizhojnë tabelën në mungesë të një inspektori?

“Inspektorët e parkimit, në bashkëpunim me policët bashkiakë janë të pajisur me sistemin ‘palmar’, i cili mundëson kontrollin dhe verifikimin e vlefshmërive për pagesën e parkimit. Në rastet e konstatimit për shkelje të tilla, apo për moskryerje të pagesave vazhdohet me vendosjen e gjobave”, tha më tej Zëre.

Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe lehtësira të tjera për portofolin e shoferëve.

“Ky projekt, përveçse shkurton kohë, ndihmon edhe xhepin, pasi qytetari që ka paguar me SMS për 1 orë parkimi, nëse lëviz brenda të njëjtës zonë tarifimi brenda kësaj ore nuk paguan për herë të dytë. Në rastin e biletës elektronike, edhe pse shoferi mund të lëvizte brenda të njëjtës zonë do t’i duheshin dy bileta të tilla”, tha Eglantina Zëre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA