Veliaj: Investimet po e kthejnë Saukun dhe Qytetin Studenti në një nga poliqendrat e Tiranës

23/08/2017 00:00

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar punimet e investimit më të ri të Bashkisë së Tiranës në zonën e Saukut, ndërtimin e rrugës “Danish Jukniu”, e cila do t’i shërbejë një zone që deri më sot nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje dhe investime.

Veç inspektimit të punimeve, Veliaj ka vlerësuar dhe falenderuar banorët e kësaj zone për bashkëpunimin e tyre: “I falënderoj të gjithë banorët për bashkëpunimin fantastik që kemi pasur me ta. Është një nga komunitetet unike, ku të gjithë banorët kanë kontribuar duke liruar nga pak nga avllia e tyre për zgjerimin e trotuareve. Në komunitete si ky, qytetarët e shohin se si puna e bashkisë është cilësore kudo”.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se këto investime shkojnë në harmoni me vizionin e Bashkisë së Tiranës: “Vizioni ynë është që e gjithë zona e Qytetit të Studentit, përfshi Saukun, Farkën, të jetë një nga poliqendrat e Tiranës. Duhet ta pranojmë se njerëzit nuk jetojnë gjithë ditën te Pazari i Ri apo te sheshi Skënderbej, por ata jetojnë në komunitet e tyre. Ndaj, është e rëndësishme që me të njëjtën cilësi që kemi punuar në qendër të Tiranës, të punojmë në nivel kapilar edhe në këto komunitete”.

Rruga “Danish Jukniu” ka një rëndësi të madhe për lëvizjen e banorëve të zonës dhe shërben si aks kryesor lidhës me rrugën e “Elbasanit”. Projekti parashikon që përveç punimeve në trupin e rrugës, të realizohen të gjitha kanalizimet, shtrirja e linjave rezervë të telefonisë e shërbimeve të tjera. Gjithashtu, rruga do të pajiset me ndriçimin e nevojshëm dhe gjelbërim.

Top Channel