OSHEE ul humbjet, rrit me 4.2 përqind arkëtimet e faturave

21/08/2017 00:00

Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, për periudhën janar-korrik arkëtimet u rritën me 4.2% krahasuar me vjet.

Kompania raportoi se për 7 muajt e parë të vitit ajo ka grumbulluar 37.1 miliardë lekë në total, nga 35.6 miliardë që arkëtoi në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas OSHEE, rritja e arkëtimeve është rezultat jo vetëm i shitjeve më të larta të energjisë, por edhe përmirësimit të administrimit.

Të dhënat tregojnë se treguesi i humbjeve të energjisë ka vazhduar të ulet, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë se në vitet e mëparshme. Më saktësisht, për periudhën janar-korrik, humbjet totale zbritën në 28.1% e energjisë së hedhur në rrjet, nga 28.6% që ishin për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
 
Sipas OSHEE, ngadalësimi i uljes së humbjeve i dedikohet kryesisht periudhës së zgjedhjeve, kur kompania u bë edhe pjesë e marrëveshjes Rama-Basha që çoi dhe në ndryshimin e drejtuesve të saj. Sipas të dhënave, në qershor humbjet e energjisë kërcyen në 28.1% nga 24.4% që ishin qershorin e një viti më parë, por në korrik ato ranë sërish. 

Kompania thotë se ka arritur të ulë edhe borxhin e keq, detyrimet e prapambetura që abonentët kanë ndaj saj. Ky borxh, i krijuar kryesisht në periudhën 2007-2017, arriti pikun në 68.7 miliardë lekë, por në fund të 7-mujorit të këtij viti, sipas OSHEE, borxhet e prapambetura që konsumatorët kanë ndaj saj ranë në 49.7 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA