Rrugë edhe në fshatra, Bashkia e Tiranës ndërhyn në Petrelë

20/08/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e qendrave të fshatrave që janë nën administrimin e saj. Projekti i parë pilot ka nisur me qendrën e fshatit Qeha, në njësinë administrative Petrelë.

“Sot kurorëzojmë një projekt pilot, i cili është frymëzuar nga projekti i kryeministrit për ‘Rilindjen Urbane’. Menduam se mund të kishim një minirilindje urbane brenda Bashkisë së Tiranës, ku siç kemi bërë me sheshin ‘Skënderbej’, mund të punojmë me të gjitha sheshet e fshatrave tona. E filluam në Qeha, një fshat simbol, me një klimë fantastike, që gjithashtu po popullohet nga qytetarë të rinj, që zgjedhin të jetojnë në fshat për t’iu larguar trafikut dhe zhurmës së Tiranës”, tha Erion Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se, krahas qendrave do të punohet paralelisht për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha zonat rurale.

“Kjo na inkurajon që të vazhdojmë me projekte të tilla në të gjitha fshatrat e Tiranës. Siç patëm këtë eksperiment të parë të suksesshëm, shpresoj të vazhdojmë në fshatra të tjerë. Ashtu si qeveria qendrore ka punuar me qendrat e qyteteve, të shohim sesi mund të riprodhohet ky sukses në të gjithë qendrat e fshatrave të Tiranës”, theksoi ai.

Kryebashkiaku u shpreh se investime të tilla synojnë që të rikthejnë jetën në fshat, edhe në ato zona që ndodhen larg rrugëve kryesore. Veliaj premtoi se do të punohet edhe në fshtara, me të njëjtën cilësi si në sheshin “Skënderbej”.

“Do të investojmë me të njëjtën cilësi si në sheshin ‘Skënderbej’. Ndërtimi i autostradave i kthen në xhepa disa prej fshatrave, ku më parë kalonte rruga e vjetër. Kjo do të thotë se na duhet të gjejmë arsye të tjera, pse duhet të rikthejmë jetën në fshat. Investime në qendra të tilla, në ekonominë e bujqësisë, në restorante, në qendra të hipizmit si ajo që është pranë këtij fshati, na sigurojnë arsye të ndryshme për t’u larguar nga jeta e Tiranës me zhurmë e me trafik dhe me ndotje, për të ardhur në jetën e fshatit”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i bashkisë garantoi se do të mundësojë mundësi të barabarta të një të riu që rritet në fshat, me një të ri që rritet në Tiranë.

“Ëndrra ime është që çdo djalë, çdo vajzë që rritet në fshat të ketë të njëjtën mundësi për t’ia dalë me sukses, si çdo djalë dhe çdo vajzë tjetër. Besoj se detyra e bashkisë është t’u ofrojë të gjithëve një fillim të barabartë, duke rregulluar çerdhet, kopshtet, shkollat, por edhe një qendër urbane në territorin”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA