Lufta në Ukrainë, tre të vdekur nga bombardimet ruse në Odessa dhe Zaporizhia Marshimi kundër një tubimi të ekstremit të djathtë ka tërhequr me qindra mijëra protestues kundër racizmit në Boston të Shteteve të Bashkuara.
Policia e kishte bërë të qartë më përpara se nuk do ta toleronte dhunën në mitingun e aktivistëve konservatorë të lirisë së fjalës dhe atë të kundërprotestuesve. Por, pavarësisht përpjekjeve të saj, gjatë protestës që zgjati dy orë nuk munguan përplasjet.
Grupet e aktivistëve të majtë, ndër ta edhe “Black Lives Matter”, kishin planifikuar të kundërprotestonin ndaj aktivitetit të organizuar që muajin e kaluar nga grupimi “Fjala e lirë e Bostonit”, i përbërë prej një koalicioni “libertarianësh, progresistësh, konservatorësh dhe të pavarurish”.
Njëri prej organizatorëve të këtij grupi, John Meddlar u pati thënë kanaleve mediatike se, në tubim nuk do të ishin të mirëpritur supremacistët e bardhë, ndërsa denonconte edhe grupimet raciste, si “Ku Klux Klan”, duke u distancuar prej tyre e duke shpjeguar se nuk kanë asnjë lidhje me tubimin në Charlottesville.
Deklarata të tilla nuk mjaftuan, sidoqoftë, për të shmangur kundërprotestën e zhvilluar nën moton “Të luftojmë supremacinë”. Pjesëmarrësit e tij vërshuan nga çdo cep i qytetit, duke i rrethuar rivalët në zonën “Boston Common”.
Efektivët e policisë u përpoqen t’i mbanin në distancë, e u kthyen edhe vetë në shënjestra të gurëve dhe shisheve të mbushura me urinë. 33 vetë përfunduan në pranga. Shumë prej protestuesve kundër racizmit mbanin “stickers” me foton e 32-vjeçares Heather Heyer, të shtypur me makinë në Charlottesville, një incident ky që i ka shtuar ndjeshëm tensionet në vend.
Mitingut për lirinë e fjalës iu dha leja nga qyteti i Bostonit për t’u zhvilluar në parkun qëndror të qytetit në mesditë, me një maksimum të lejueshëm prej 100 personash, ndërsa kundërprotestuesit e “Black Lives Matter” nuk e kishin marrë një leje të tillë, pavarësisht se në marshim morën pjesë me mijëra vetë.
Top Channel