Zjarret, drejt kontrollit. Rreziku më i madh, në Korçë

14/08/2017 00:00

Situata e zjarreve në vend po shkon drejt përmirësimit të ndjeshëm.

Emergjencat Civile raportojnë se pas mesdite janë shuar të gjitha vatrat, përveç një zjarri në zonën e Delvinës dhe një tjetri në Treskë të Korçës. Në këtë të fundit, zjarri i nisur një ditë më parë vazhdon të përshkojë sipërfaqe të mëdha pyjesh me ah dhe pishë. Terreni me reliev ka sjellë vështirësi për ndërhyrjen dhe neutralizimin e zjarrit. Përveç ndërhyrjes nga toka, ka qenë edhe domosdoshmëri ndërhyrja nga ajri. Të paktën 14 hektarë mendohet se janë djegur.

Zjarrfikëset, ushtria dhe FNSH janë mobilizuar për të vënë flakët nën kontroll. Nëqoftëse do të nevojitet, do të përdoren dhe mjete ajrore.

Në Qarkun e Korçës flakët patën përfshirë një pjesë pylli në fshatin Panarit. Pas ndërhyrjes me helikopter, zjarri u izolua.

Në Shkodër u regjistrua një vatër në Bushat, ku janë djegur sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në Tale të Lezhës zjarri u përhap në kallamishtet e kanaleve ujëmbledhëse. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë duke shuar zjarrin duke eliminuar rrezikun e përhapjes së tij drejt banesave.

Kurse në Shupenzë të Qarkut Dibër zjarri u fik edhe me ndihmën e rreshjeve të shiut.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Top Channel