
Unaza e madhe e Tiranës do të jetë gati në shtator, si zgjidhje për trafikun e makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha: “Ky është një projekt jetik për qytetin, një arterie kryesore që sjell trafik, duke lidhur dy pika, Farkën dhe Kasharin, dy zona të populluara të Tiranës. Pra, gjithë zonën e Kodrës së Diellit, Kristalit, Njësinë 5 me Kombinatin Ushqimor. Dua të falenderoj të gjithë kolegët që kanë marrë pjesë, nga Ministria e Transportit, ARRSH, qeveria shqiptare, nga kryeministri i vendit dhe mezi pres që me krijimin e qeverisë së re të kërkojmë një shpejtësi akoma më të madhe për pjesët e tjetra të Unazës, që besoj se do të jenë faza e ardhshme, ajo që lidh pjesën e Dajtit dhe sidomos ajo që lidh pjesën e Bregut të Lumit”.
Bashkia e Tiranës ka një plan konkret për mbikalimin dhe nënkalimin te sheshi “Shqiponja” dhe për për të mbrojtur qytetarët në rrugë: “Bashkia e Tiranës do të fillojë një operacion për të mbyllur të gjitha ndërprerjet e paligjshme në autostradat që janë në territorin e Tiranës, duke nisur nga autostrada Rinas-Tiranë, te rruga “Dritan Hoxha”, të gjithë akset kryesore të Tiranës. Është e pamundur që të kemi një qytet funksional, me 190 mijë makina në Tiranë, plus ato që vijnë nga rrethet, nëse në çdo 100 metra dikush çan autostradën, dikush bën një gomisteri, dikush rrotat, dikush tjetër bën servis, dikush lavazh. Kjo nuk ka sens”.
Në pritje të vitit të ri shkollor, Veliaj njofton: “Në fillim të vitit shkollor do të risjellim në fuqi të gjithë regjimin e trafikut që përdorim gjatë muajve shkollorë. Do të thotë që orët e mëngjesit janë të dedikuara kryesisht për trafikun familjar, ndërkohë që vetëm pasi ka filluar ora e mësimit mund të rifillojnë ata që bëjnë furnizimin e dyqaneve. Ne besojmë se në qytetin tonë janë shumë më të rëndësishëm nxënësit sesa patatinat e çamçakëzët që edhe mund të presin sa të ketë filluar ora e mësimit”.
Top Channel