Të marrësh një zanat. Kurset profesionale, edhe në ditë gushti

14/08/2017 00:00

Kurset profesionale shtetërore vijojnë edhe gjatë verës. Me gjithë temperaturat e larta, në ambientet e Drejtorisë së Formimit Profesional, ku ndodhen salla të posaçme për profesione si elektriçist, mekanik, parukeriere, berber dhe kuzhinier ka çdo ditë kursantë të moshave 18-50 vjeç, që duan të marrin zanat.

“Numri i kursantëve që ndjekin kurset profesionale në qendrën tonë është rreth 2.730, nga të cilët rreth 2000 kursantë janë certifikuar, kurse pjesa tjetër është në proces e sipër. Numri i kursantëve vjen gjithmonë në rritje, kjo edhe për arsye të kërkesave të tregut të punës”, tha Piro Jani, drejtor i Formimit Profesional, Tiranë.

Drejtori i formimit profesional thotë se ka edhe të rinj që zgjedhin të studiojnë për degë, që veçanërisht në verë kërkohen më shumë nga tregu i punës.

“Ka kursantë, të cilët janë më të interesuar për periudhën e verës. Këto janë kurset e kuzhinës, pasi gjatë kësaj periudhe janë shumë lokale që hapen dhe shumë nga kursantët punojnë nëpër punë sezonale, kryesisht në pjesën e jugut. Këta janë më tepër të interesuar përpara periudhës së verës, në mënyrë që kur të vijë sezoni veror ta kenë përfunduar kursin dhe të jenë të aftë. Ka edhe nga ata që duan të gatuajnë më mirë dhe të ushqehen më mirë”, thekson më tej Piro Jani.

Po profesionet më pak të kërkuara, cilat janë?

“Për kamarier dhe banakier kërkesat janë më të pakta, ndoshta edhe për shkak të tregut të punës apo pagesës”, shprehet Jani.

Në Drejtorinë e Formimit Professional po ngrihet një godinë e re, që do të ofrojë 15 salla të reja studimi, investim që në shtator pritet të sjellë më shumë kursantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA