
Situata vazhdon të jetë e rënduar me qindra vatra zjarri që kanë mbuluar me smog dhe tym luginat e Drinos dhe Vjosës, në Qarkun e Gjirokastrës.
Zjarret që digjen prej javësh rrezikuan disa fshatra, ndërsa mijëra hektarë kullota, shkurre, pemë frutore dhe kopshte u përfshinë nga flakët. Një shtëpi e pabanuar, një kafene dhe dëme të tjera ekonomike u shkaktuan nga zjarri i fundit që prej Qafës së Muzinës e deri në Dropull e Finiq.
Kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër, Kujtim Bizhga, thotë se një efektiv zjarrfikës është lënduar gjatë situatës së këtij viti, ndërsa vështirësitë kryesore, sipas tij, lidhen me gjendjen e rënduar të mjeteve zjarrfikëse.
“Gjirokastra, si qendër qarku, është disi më mirë, por teknika zjarrfikëse, sidomos automjetet janë shumë të vjetra”, thotë Bizhga.
Efektivët zjarrfikës nga Gjirokastra kanë qenë në ndihmë të situatave të zjarreve edhe në Bashkitë e Finiqit dhe Delvinës, që ditët e fundit ndanë të njëjtin zjarr masiv, më i madhi që është parë ndonjëherë prej popullsive rezidente në këto zona.
Top Channel