Shijaku pa ujë, nis aksioni për prerjen e lidhjeve të paligjshme

14/08/2017 00:00

Thatësira e tejzgjatur e kësaj vere, pavarësisht shiut të dy netëve më parë, ka krijuar probleme në furnizimin me ujë për zonën e fshatrave të Durrësit dhe atë të Shijakut.

Ndaj, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka vijuar kontrollet për lidhjet e paligjshme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, për të siguruar një furnizim normal të banorëve.

Këtë fillimjave, reparti i Shijakut i ka përqëndruar kontrollet në aksin Maminas-Vorë, ku janë konstatuar dhe prerë 25 lidhje të paligjshme.

Përfaqësues të Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës i bëjnë thirrje subjekteve, qofshin ato biznese, fermerë apo familjarë, që të mos dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit e të mos shpërdorojnë ujin e pijshëm.

“Nga kontrolli i nisur në aksin Maminas-Vorë kemi konstatuar lidhje të paligjshme në biznese dhe familje. Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë abonentëve që, në rast se kanë lidhje të paligjshme, t’i shkëpusin dhe të pajisen me kontrata me Ujësjellësin. Në të kundërt, në rast se ne i konstatojmë do të marrim masa deri në ndjekje penale”, tha Ivo Doçi, përgjegjës i repartit të Shijakut UKD.

Nga muaji shtator, Ujësjellës-Kanalizimet Durrës në bashkëpunim me policinë do të nisin një fushatë të gjerë kundër të gjithë abuzuesve të ujit të pijshëm.

Durrësi mbetet një nga zonat më problematike në vend për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve dhe pushuesve. Shkak për këtë situatë janë burimet e largëta të ujit, rritja e ndjeshme e numrit të konsumatorëve, si dhe investimet e pakëta në rrjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA